Takimi me Heroin

Ishte burrë i pashëm rreth të 30-tave. Kishte floktë të gjata e të zeza. Mbante veshur një jakne ushtrie. Qëndronte i qetë. Për një moment e kthej shikimin kah unë… Ma dha një buzëqeshje të ëmbël, shumë të ëmbël… Shikimi i tij ishte më i pastër dhe më i dëlirë që kisha has ndonjëherë. Aq sa e tejkalonte realitetin njerëzor dhe kalonte në brezin e botës engjëllore. E njofta menjëherë… Prezenca dhe shikimi i tij sikur më ftuan ta ndiqja… E ky ishte rrugëtimi im drejt dhimbjes e plagës së pavetëdijes sonë të përbashkët kolektive.
———–

Sot mes 10 vjetorit të ditës së shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe 20 vjetorit të epopesë së familjes Jashari, për herë të parë në jetën time, mora rrugën për në Prekaz. Me vetëdije të plotë, se ma në fund do ta takoja atë pjesë të vetes sime që isha përpjek me e shmang për gjitha këto vite.

Isha vetëm 16 vjeçe. Si sot me kujtohet Marsi i 1998-ës. I ftoftë, i frikshëm, e traumatizues.

Komandanti Adem Jashari bashkë me familjen e tij ishin flijuar, pas një lufte 3 ditore me ushtrinë serbe. Rrëfimi i Besartës, vajzës së Hamëz Jasharit, të mbijetuares së kësaj lufte ishte historia ma prekëse e rrënqethëse që kisha dëgju deri atëherë.

Prej atij momenti, historia e familjes Jasharaj e sidomos ajo e Adem Jasharit ishin ngulur thellësisht në mendjen time. Ndërsa, në nivelin emocional dhe shpirtëror timin, kishin lënë gjurmë të një traume. Të asaj traume që në pavetëdijen time, isha përpjekur me e shmang vazhdimisht. Po, sa herë që vinte marsi, e ndjeja si dhimbje në gjoks… Dhimbje të një sëmundje kolektive që zihej e zihej nëpër mua, e pastaj me kalimin e kohës ftohej përkohësisht deri në shfaqjen tjetër të radhës.

Për me u përballë me të vërtetën nevojitet forcë e guxim, ndërsa për me e shëru veten nevojitet forca dhe guximi i një heroi.

Unë që dikur nuk e kisha këtë forcë e guxim as me u përballë me historinë Jashari, për shkak të asaj traume, dhe frike të mbështjellur me dozë gjykimi e fajësie që ndjeja… Tani më shumë se kurrë kisha nevojë për guximin dhe forcën me u SHËRU prej saj. Dhe në ndihmë për këtë më doli hiq më pak e as më shumë se vet Adem Jashari.

Po ai nuk ishte siç e kisha përfytyruar. Ishte i qetë, i pastër, i përulur e i butë. Kishe nurin që e bënte të vezullonte. E mbi të gjitha, kishte një ndjeshmëri të tejskajshme. Po si mundet një hero i përmasave të Adem Jasharit më qenë i tillë, që për lirinë e popullit të Kosovës ka fliju jo vetëm veten, po edhe ma të shtrenjtët e tij?

Ajo që pashë, përjetova dhe mësova gjatë rrugës drejt shërimit tim, ishte mu kjo: heronjtë më të mëdhenjë janë ata që ndjejnë më se shumti, ata që lëndohen më së shumti. Se ndryshe nuk kishin me pas nevojë me ndryshu. E nevoja për ndryshim vjen atëherë kur nuk je i kënaqur me gjendjen ku je. Ndërsa, guximi dhe forca për me u përballu me të gjitha pasojat e mundshme që vijnë si rezultat i këtij ndryshimi, janë ato që mund t’i bëjë vetëm një hero.

Prekazi ishte vendi më i pastër në nivelin energjetik që e kisha vizituar ndonjëherë. Prapë, ndryshe prej asaj qe e kisha përfytyruar. Vet prezenca në atë vend, sjellte shërimin vetvetiu. Ishte diçka që vinte natyrshëm për mua… Si një ujëvarë që sjell freski.

“Sa shumë heronjë paskan luftu për lirinë e Kosovës…” – thoshte vajza ime 6 vjeçare, teksa numëronte varret e familjes Jashari.

“Po” – i them. “Se ndryshe nuk do t’a kishim shijuar këtë ditë”.

Të gjithë ata heronjë kishin dhanë jetën atëherë, që ne ta gëzojmë lirinë sot. Sakrifica e tyre është mësimi që na shpie te dashnija njerëzore e universale. Duke e shfaq pjesën e tyre ma të fortë, ata na bëjnë me e zbulu ndjeshmërinë tonë brenda vetes. E mbi të gjitha, ata na japin shembullin ma të thekshëm të dualitetit, në mënyrë që ne me e kapërcy atë duke e përqafu vetëdijen e unitetit. E me këtë vetëdije të re, me e vazhdu rrugëtimin tonë individual e kolektiv drejt dritës…

Ndërsa mendoja për librin e Dolores Cannon-it, në të cilin ajo përshkruan se si shpirtërat e caktuar vijnë në këtë botë me mision për t’a ngrit vetëdijen kolektive të një shoqnie dhe se si para se të ndodh ndonjë tragjedi, në nivel shpirtëror të gjithë ata pajtohen për këtë mision… Tani kishe kuptim çdo gja… E ndjeja se sa hyjnor ishte ky moment shërimi.

Nëse nuk e shërojmë veten, do ta bartim atë programim te pasardhësit tanë, te fëmijët tanë… E pastrimi dhe shërimi shpirtëror është obligimi i secilit prej nesh. Sepse, kjo është rruga e vetme drejt çlirimit, drejt një jete ma të mirë e të lumtur. Pa u shëru prej të kaluarës, nuk mund ta gjejmë dritën dhe qetësinë në të tashmen, e mos të flasim për të ardhmen. E këtë e donte edhe vet heroi. Ndoshta për këtë më kishte zgjedhur mua. Apo ndoshta unë me pavetëdijen time e kisha ftu atë të më udhëheqte në këtë rrugëtim.

——————-

Ai ishte i lartësuar. Ishte shfaqur për të ma rikujtuar nevojën e shërimit… E rruga që duhej të ndjekja ishte ballafaqimi me dhimbjen deri në çlirimin e plotë prej saj… Heroi nuk kishe nevojë për askë, e as për asgjë. Nuk gjykonte e as nuk ndihej i gjykuar. Ishte i lirë.

Ma në fund edhe unë ndihesha e lehtësuar dhe në paqe të plotë.

Mars 2018

 

Photo Credit: Zeri.info 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *