Së fundmi pata fatin të vizitoj bustin e Mbretëreshës Nefertiti në Neues Museum në Berlin, ku më në fund u gjenda ballë për ballë me një nga veprat më mahnitëse të krijuara ndonjëherë.
Nefertiti është një figurë që më ka tërhequr gjithmonë, jo vetëm për bukurinë e saj të jashtëzakonshme dhe harmoninë që përfaqëson, por edhe për misterin dhe energjinë që e rrethon. Kjo tërheqje është thelluar edhe më shumë përmes shumë seancave dhe përvojave që kam pasur me klientë ndër vite, si edhe përmes përvojave të mia personale të lidhura me Egjiptin e Lashtë. Gjatë këtyre përvojave kam hasur vazhdimisht kujtime që lidhen me periudhën e dinastive të arta egjiptiane dhe me jetët e kaluara, në të cilat kam përjetuar veten si pjesë të asaj epoke dhe të atyre dinastive. Për këtë arsye, Nefertiti ka qenë gjithmonë për mua shumë më tepër sesa një mbretëreshë e historisë dhe ajo përfaqëson një lidhje personale me një periudhë që vazhdon të zgjojë reflektim dhe kërkim shpirtëror.
Thuhet se mbreti Akhenatoni dhe mbretëresha Nefertiti adhuronin diellin dhe ishin të parët që kishin sjellur besimin në një Zot (gjatë viteve 1353–1336 para erës sonë). Ata adhuronin Atenin (diskun e diellit – the sun disc) në vend të shumë zotrave tjerë që ishin të përhapur asokohe përmes besimeve të ndryshme në Egjipt.
Sipas historianëve, Mbreti Akhenaton e vendosi kryeqytetin e tij në Amarna rreth vitit 1346 p.e.s. dhe aty jetuan dhe vepruan bashkë me Nefertitin dhe familjen e tyre mbretërore. Karakteristika kryesore e jetës në këtë vend ishte arkitektura e hapur ndaj dritës, që ishte ndryshe prej tempujt tradicionalë egjiptianë, të cilët ishin të errët dhe të mbyllur. Tempujt në Amarna kishin oborre të hapura me shumë pak çati dhe altarë të ekspozuar drejtpërdrejt ndaj rrezeve të diellit. Drita natyrore ishte pjesa thelbësore e adhurimit të tyre.
Ajo që unë ndjeja gjatë gjithë rrugëtimit tim për ta parë Nefertitin ishte se “dielli” nuk ishte “objekti i adhurimit”, por ura që na lidh dhe drejton drejt diçkaje shumë më të madhe, drejt Burimit. Nefertiti dhe Akhenateni nuk ishin “adhurues të Diellit” në kuptimin e adhurimit të një objekti fizik, por ishin reformatorë të cilët synonin një lidhje të drejtpërdrejtë me Burimin Hyjnor përmes simbolikës së Atenit. Ateni paraqitet si simbol i jetës, dritës dhe inteligjencës universale, e jo thjesht si një disk dielli për adhurim.
Frekuenca e Nefertiti dhe Akhenateni ishte aq e lartësuar sa nuk krahasohet me atë të asnjë lideri aktual në botë. Tempujt e ndërtuar asokohe ishin ndërtuar për të lehtësuar transformimin e vetëdijes. Ndërsa, Nefertiti dhe Akhenateni përfaqësojnë një ndryshim shpirtëror në mënyrën e konceptimit të hyjnores. Si të tillë do të duhej të hynin në historinë njerëzore, e jo si vetëm udhëheqës që adhuronin diellin. Sepse “dielli” nuk ishte objekt adhurimi, por burim transformimi dhe lidhje me “më të Lartin”.
Historia e interpreton ndryshe. E di.
Por ky ishte mesazhi që unë mora me vete: Disku i diellit është një simbol përmes të cilit edhe sot mund të lidhemi me Dritën Hyjnore.
Nganjëherë arti nuk na flet vetëm për të kaluarën. Ai zgjon brenda nesh në të tashmen.
Dhe ndoshta pikërisht për këtë arsye Nefertiti vazhdon të frymëzojë njerëzit edhe pas më shumë se tre mijë vjetësh. Jo vetëm për shkak të bukurisë së saj të jashtëzakonshme, por sepse ajo ishte pjesë e një prej periudhave më intriguese të historisë njerëzore, të një kohë kur mënyra se si njerëzit e kuptonin Hyjnoren mori një drejtim krejtësisht të ri.
Ndonjëherë, një udhëtim fillon me një biletë muzeu.
E nganjëherë… fillon vetëm me një frymëzim çasti.



0 Comments