Bota është duke ecur me një tempo marramendëse. Prej një shpejtësie mesatare pas viteve 2000, pas qerekut të parë të shekullit të ri kemi hyrë në shpejtësinë më të madhe që kemi përjetuar ndonjëherë. 

Mendja njerëzore tani është nën sulmin e vazhdueshëm të informacionit. Sepse tanimë informacioni nuk është thjesht vetëm i disponueshëm; por është i pashmangshëm dhe bombardues. 

Kur zgjohesh në mëngjes, para se t’i vendosësh këmbët në tokë goditesh nga matrix-i. Lajme. Drama. Reklama. Frikë. Opinione. Analiza. Të gjitha kërkojnë vëmendjen tënde. Të gjitha bërtasin për ta okupuar vë-mendjen tënde. Dhe në këtë kaos, ti e harron veten.

Kjo nuk është rastësi.

Një mendje e shpërqendruar dhe e çorientuar është më e lehtë për t’u manipuluar. Një popullatë e përbërë prej individëve të tillë është më e bindur. Sa më shumë të jesh i lidhur për matrix, aq më shumë mund të të drejtojnë. Sepse nëse arrijnë ta pushtojnë mendjen me lehtësi, nuk kanë nevojë ta burgosin trupin tënd fizik.

Por ti nuk je i detyruar të luash këtë lojë. Mund të dalësh nga loja. Jo duke ikur për të jetuar i izoluar në ndonjë mal, por duke marrë kontrollin e jetës tënde dhe duke e vendosur vetën dhe mirëqenien tënde të parën.

Zgjidhja është të kesh një mendje të qetë.

Nuk ke nevojë ta ngarkosh mendjen për më shumë përgjigje. Ajo çka ke nevojë është të kesh më pak shpërqendrime. Të arrish ta mbash një mendje të qetë në këtë botë të zhurmshme.

Një mendje e qetë sheh qartë. Ajo dallon manipulimin, programimin shoqëror, dallon çdo papastërti. Ajo e ndjen se çfarë është e vërtetë dhe çfarë jo. Heshtja nuk është bosh. Është plot me qartësi. Një mendje e qetë del jashtë rrjetës së kontrollit nga jashtë. Ky është çelësi. Nuk reagon më. Fillon të perceptosh drejt. Sepse aty buron urtësia dhe fuqia jote.

Dhe nga kjo mendje e qetë, hapet diçka e bukur: zemra.

Nuk është fjala për zemrën romantike e as çokolladat me formë zemre që duam t’i shijojmë të gjithë. Po flas për zemrën e hapur, zemrën e dashnisë së pakusht, intuitës, urtësisë dhe forcës së brendshme. Në këtë botë dinamike të varur nga shpejtësia, zemra e hapur është shteg për të hynorja. Ajo nuk gjykon me ngut. Nuk kapet në panik. Nuk ka nevojë për pëlqime apo aprovim. Ajo thjesht e di. Ajo na shëron. Ajo na rikthen tek vetja, aty prej nga duhet të nisim dhe përfundojmë çdo gjë. 

E bota do të vazhdojë të përshpejtohet. Sistemet do të vazhdojnë të bërtasin për ta rimarrë vëmendjen tënde. Por ti? Ti vazhdo të ecësh duke mbajtur mendjen e qetë. Duke dëgjuar thellë. Duke buzëqeshur butë.

Kësisoj, e rimerr sovranitetin tënd.

Ti nuk je zhurma. Andaj ke zgjedhur ta mbash qetësinë tënde. 

Nuk je i humbur. Thjeshtë je i lidhur me të padukshmën, aty ku sistemet nuk kanë radar përceptimi.

Ndihu i lirë. Ndihu i qetë. 

Sepse kështu mbijetojnë të zgjuarit sot.


0 Comments

Leave a Reply

Avatar placeholder

Your email address will not be published. Required fields are marked *