Kanë kalu pesë vjet që kur babi kaloi qetësisht përtej kësaj bote — por vibrimi i shpirtit të tij ende është prezent me butësinë dhe urtësinë e tij.

Ai asnjëherë nuk na tregoi se çfarë të bëjmë me jetën tonë. Ai thjesht jetoi jetën e tij denjësisht dhe ne duke e parë mësuam gjithçka që ka me të vërtet rëndësi.

Ai ishte shembull i heshtur i një shpirti të madh që nuk u përpoq të ndryshojë botën, por me prezencën e tij arriti të ndryshoi botën e të gjithë atyre që i njohu mirë. Ai nuk kërkoi ndjekës, por la gjurmë në jetën e tyre.

Në heshtje, përmes veprës që la pas, i gdhendi këto mësime në memorien time: 

1) Ai më mësoi të respektoj çdo qenie njësoj. Të mos përkulem nga frika, e të mos ngrihem mbi askënd nga krenaria. Dinjiteti buron nga zemra, e jo nga titujt dhe statusi i klaneve shoqërore.

2) Ai më mësoi të mos flas për të tjerët dhe të mos merrem me jetën e askujt. Secili ecë me peshën e vet, dhe vetëm Zoti e di sa rrugë ka bërë për të qëndruar në këmbë deri në këtë moment.

3) Ai nuk mendonte dy herë për t’i dal në ndihmë kujdo që kishte nevojë. Ai vepronte kur të tjerët kalkulonin dhe nuk priste asgjë në këmbim prej tyre. Ai jepte lirshëm — dhe në atë dhënie, mbetej i lirë.

4) Ai besonte se ndonjëherë duhet të dalësh jashtë ‘normales’. Se duhet bërë diçka që e tejkalon kufirin dhe kapacitetin tënd, pa pritje, pa duartrokitje.

5) Ai i trajtonte të tjerët si të dashurit e tij, u uronte më të mirën edhe kur ata nuk ishin më pjesë e jetës së tij. Mirësia e tij nuk kishte kufij, ishte rrjedhë e lirë e shpirtit të tij të madh.

6) Ai ishte shembull i vërtetë i modestisë. Pavarësisht titujve, profesinalizmit në punë dhe të ardhurave materiale që i kishte, jetonte modest sepse gjithmonë i duhej ta ndante me të tjerët. Jetonte thjeshtë, por gjithmonë zgjidhte cilësinë më të mirë.

7) Ai nuk e njihte përtacinë. Ishte gjithmonë në aksion, në punë, në shërbim të të tjerëve.

8) Ai besonte se koha kalon shpejt dhe para se të zgjohemi një ditë e ta shohim vetën të moshuar, duhet përfunduar të gjitha detyrat tona me përpikmëri dhe të mos mbetemi pishmon për asgjë.

9) Shpesh thoshte: “Pasuria më e madhe është të jetë i ri dhe i mençur – sepse kur plakemi të gjithë mbushemi mend.”

10) Mësimi më i shenjtë që kam marrë prej tij është se si të largohemi nga kjo jetë pa borxhe. Jo vetëm materiale, por sidomos ato shpirtërore. Ik i pastër, i qetë, i lirë. Ik faqebardhë…


0 Comments

Leave a Reply

Avatar placeholder

Your email address will not be published. Required fields are marked *