Kur flasim për edukimin, një gjë fundamentale prej së cilës duhet të nisemi janë nivelet apo aspektet në të cilat zhvillohet edukimi. Çka i nevojitet një njeriu në jetë? Çka e bënë atë të edukuar, e sidomos të kompletuar si njeri? A është të zë një vend pune dhe të jetë i aftë ta kryej atë punë me përkushtim? Të dijë t’i menagjojë situatat? Të arrijë t’a përballojë me sukses konkurencën në treg? Të zë një pozitë të “rëndësishme” dhe me “ndikim” në shoqëri? Të ketë një karrierë të sukseshme? Të fitojë shumë para?…  Çka është ajo që na duhet në jetë?

Unë them të jetë i lumtur. E si dhe kur mund të jetë një njeri i lumtur? Apo thënë ndryshe, cili lloj i edukimit mund ta bëjë një njeri të lumtur?

Edukimi formal e adreson sot nivelin intelektual të vetëdijes së njeriut. Ta kërkosh lumturinë përmes intelektit është sikur ta ndjekësh hijen tande. Kjo sepse intelekti, si qendër veprimi e ka mendjen, e cila fokusohet në analiza, koncepte, mendim kritik, krahasime, zgjidhje logjike të problemeve, të cilat në gjuhën e botës në të cilën jetojmë sot përkthehet si: arsye, konkurencë, hierarki, menagjim, zgjidhje të problemeve në bazë të njohurive paraprake, etj.

Le ta supozojmë lumturinë si një pikë që gjendet në hapësiren 3-dimensionale. Le të jetë kjo pika L (Lumturia) me koordinatat x, y dhe z. Dimensioni intelektual le të jetë x, emocional y dhe shpirtëror z. Pra, L (x, y, z) si në hapësirën e paraqitur në figurë. Pika L ndryshon në hapësirë varesisht prej nivelit të vetëdijes së njeriut. Le të supozojmë se L1 i ka koordinatat: x1,y1,z1 për personin 1; L2 koordinatat x2, y2, z2 për personin 2; dhe Ln koordinatat xn,yn,zn për Pn.

Si munden personat P1, P2… Pn me i gjet pikat L1, L2 .. Ln duke e njoft vetëm koordinatën x (nivelin intelektual)?

Matematikisht, nëse koordinatat y=0 dhe z=0, atëherë mbetet vetëm funksioni një-dimensional f(x). Po, ne jemi të vetëdijshëm se njeriu nuk fuksionon vetëm në nivelin intelektual. Mos askush, praktika na e vërteton një gjë të tillë! Aktualisht, niveli emocional e mos të flasim për atë shpirtëror, as që janë në radarin e edukimit formal. E për t’i gjetur pikat në sistemin tonë 3 dimensional koordinativ, na duhen edhe koordinatat: y (niveli emocional) dhe z (niveli shpirtëror).

Niveli fizik është dimensioni themelor në jetën e njeriut. Arsyeja që nuk është përfshirë në këtë shpjegim është shumë e thjeshtë: kam tentu me e shpjeguar në një sistem më të thjeshtë 3 dimensional. Përndryshe, pa nivelin fizik ne as që mund të flasim për nivele të tjera. A pajtoheni me mua se sistemi arsimor nuk e adreson as nivelin fizik në mënyrë të duhur? Në varësi të shkollës dhe vendit ku jetojmë, si edhe për dimensionet tjera – ashtu edhe te niveli fizik ndryshon, por ende ka shumë punë për të bërë në këtë aspekt. Fakti se si fëmijët tanë janë të programuar nga fillimi i shkollimit të tyre për t’u ulur në karrige për orë të tëra për të dëgjuar mësuesin, tregon shumë në lidhje me këtë gjë. E në lidhje me ushqimin që ata hanë (sidomos në shkollë) dhe informacionet që lidhjen me trupin dhe shëndetin e tyre? E mos të flasim për atë se si të mësojnë me përgadit ushqim të shëndetshëm për veten e tyre!

Le të vazhdojmë me vetëdijen emocionale dhe shpirtërore. Si mundet me u mësu për aspektin emocional dhe shpirtëror? Atëherë kur edukimi i ndihmon njeriut me u kthy kah vetja, me u ba introspektivë. Atëherë kur edukimi na mëson si me punu me bindjet tona, si me u fokusu në veçantitë tona, në ato gjëra që na bajnë unik. Paramendoni çfarë bote kishim me pas sot, sikur secili prej nesh të ishte fokusu në talentet e veta dhe në atë si me i sjell ato talente, duke e përçu ma të mirën në këtë botë?!

Edukimi në nivelin intelektual është krejt në rregull. Po ai duhet të bëhet mbi bazën e njohjes së vetes së pari. Paramendoni një menagjer që nuk di si me i menagju bindjet e veta. Që nuk është i aftë me e ndryshu veten. E si mundet atëherë ai me i menagju të tjerët? Ose një financier që është rrit me bindje limituese për paranë. Merreni cilindo profesion apo lëmi – çfarëdo që ua merr mendja! Asnjëra nuk ka kuptim pa njohjen e vetes, të paktën deri në nivelin e bindjeve.

Po sa i përket relacioneve me njerëzit e tjerë? A duhet ta mësojmë edhe këtë në shkollë? A është kjo ajo me të cilën ballafaqohemi çdo ditë, më shumë se sa algjebra? Personalisht, e dua matematikën dhe gjithmonë kam qenë shumë e mirë në matematikë. Por, më shumë kam hjek nga mosdija mbi relacionet njerëzore, se sa kam përfitu nga dijenija mbi zgjedhjet e integraleve të shumëfishta, të cilat me shumë pasion i kam mësu sa isha studente.

Gjatë shkollimit tim formal, kam pas dy raste të cilat tregojnë histori kontrasti kur është fjala për mirëqenien emocionale të profesorit dhe studentëve.

Historia e parë është e profesorit tim të matematikës, i cili e pat vendos një problem të vështirë të matematikës në tabelë, dhe prej neve nxënësve filloi të kërkonte zgjidhje. Filloj me radhë, dhe pasi secili njëri pas tjetrit dështonte në zgjidhjen e problemit, durimi i profesorit lëkundej drejt nervozizmi. Kur erdhi radha ime, unë me qetësi dola në tabelë dhe hap-pas-hapi e zgjidha problemin.

Tani erdhi pjesa interesante: Agjenda e profesorit nuk ishte që dikush prej nesh ta gjente zgjidhjen, por ai donte të na tregonte se sa ne nuk dinim. Kështu, ai e mohoi dhe tha me arrogancë: “Jo! Është gabim!”. Dhe për këtë dukej absolutisht i bindur.

Ndërsa unë, atëherë në një moshë të brishtë të adoleshencës, nuk argumentova, por në heshtje shkova në vendin tim, duke e ditur se problemi matematikor ishte zgjidhur me saktësi, dhe pasi një shok i klasës ma konfirmoj zgjidhjen në të njëjtën mënyrë. Kjo përvojë më kishte lënduar shumë aso kohe.

Kjo histori tregon dy gjëra: se profesorit të përmendur i mungonte njerëzia, e cila drejtpërdrejt e pasqyronte mosbalansin e tij emocional, dhe e dyta, që unë si studente për shkak të mungesës së edukimit në aspektin emocional, ishta krejtësisht e paaftë për të luftuar kundër autoritetit edhe atëherë kur profesori e kishte gabim.

Rasti i dytë ishte i një profesori universiteti i cili e kishte sensin dhe urtësinë me e vlerësu secilin student në të mirën e tyre prej një prespektive jo-gjykuese dhe dinte ta kthente çdo situatë në një përvojë të këndshme, ashtu që të gjithë ndjeheshim mirë, përderisa mësonim dhe mbanim urtësinë. Këta margaritarë janë të rrallë në sistemin formal të edukimit, sepse nevojitet të kesh më shumë se sa intelekt për të shkëlqy përbrenda.

Kur fokusi është vetëm në intelekt, rastet e tregimit të parë shumë lehtë shumohen dhe e pengojnë procesin e shenjtë të edukimit. Ndërsa, për fat të keq, rastet e shembullit të dytë ende mbeten të rralla në mesin e stafit akademik të edukimit formal sot.

Një kurrikulum që integron mirëqenien emocionale do të fillonte së pari me praktikat për tu bërë të vetëdijshëm, e pastaj për ta zgjeruar vetëdijen emocionale. Studentët do të praktikonin ta njohnin dhe pastaj do ta përsërisnin gjithë spektrin e përgjigjeve emocionale të tyre. Në këtë mënyrë, aspektet më të thella të tyre do të dilnin në pah, duke filluar me procesin e pyetje inteligjente emocionale për ta krijuar hartën e strukturës së shtrirjes emocionale të tyre, në mënyrë që ata do të fillojnë të dinë përmbajtjen e tyre emocionale në mënyrë të detajuar.

Në këtë pikë, pjesa kryesore e kurrikulumit do të hyjë në punë, me ç’rast studentët do të fillojnë të ndryshojnë atë që ata nuk më pëlqen në lidhje me veten e tyre dhe pastaj duke e balancuar atë me burimet që tashmë i kanë ose i ëndërrojnë t’i arrijnë. Kjo në vetvete do të hapë një numër të mundësive me parasupozim se çdo gjë është e mundur.

Ky lloj i integrimit të përditshëm në programet aktuale shkollore, do të jetë si lyerje me vaj e makinës së mësuarit. Ndërsa, disiplinat shpirtërore do të kujdeset për të parandaluar ndryshkun e saj.

Si mundemi me e balansu edukimin formal? Si kishim me e kompletu atë edhe me këto aspekte? Le të themi se na ka mbi një bimë në kopsht. Nëse nuk e dijmë llojin e bimës, mënyrën se në cilat kushte mundet me u rrit më së miri dhe për çfarë shërben ajo, nuk e kemi kry punën si duhet! Me i ujit të gjitha llojet e bimëve njësoj, është njejtë sikur ajo që e bënë aktualisht edukimi formal. 

Së pari duhet me e njoft llojin e bimës që e kemi mbjell, për me dit me e kultivu atë si duhet. Njejtë vlenë edhe për edukimin. Duhet me u fillu së pari në nivelin shpirtëror.  E ajo bëhet duke u nis prej dhuntisë së personit, dhe ndihmës që i nevojitet për me e drejtu drejt asaj dhuntie në jetë. Me ç’rast e gjen kuptimin dhe qëllimin në jetë. Poashtu, pavarësisht nga benefitet e meditimit të vërtetuara tashmë përmes hulumtimeve të ndryshme shkencore, ne ende nuk e mësojmë meditimin në shkollë. Pra, pse atëherë mos me fillu me e mësu meditimin së pari?

Krahas kësaj vjen niveli emocional. Si mban mend fëmija? Përmes emocioneve. Andaj, niveli emocional është ai që duhet me u adresu para atij intelektual. Shtrohet pyetja, si?! Këtu mundemi me mësu ma së miri prej fëmijëve. Ata bëjnë atë që dojnë me e ba edhe i bënë me u ndi të lumtur për momentin. Po e përsëris edhe njëherë: ajo që i bën me u ndi të lumtur.

E kur jemi te lumturia… A po ju doket si diçka e pakapshme, e pa imagjinueshme? Nëse po, kjo tregon sa thellë jeni të zhytur në dimensionin logjik, sa nuk mundeni me i pa edhe nivelet tjera. Por po qe se provoni me e pa “peisazhin e plotë”, keni me e kuptu se misioni i edukimit është gjetja e kësaj pike (lumturisë), që vjen si rezultat i balansit të koordinatave: intelekt, emocion, shpirt.

Urtësia vjen prej kuptimit që buron nga shpirti. Ndërsa, mençuria vjen prej të mësuarit që ushtrohet përmes intelektit.

Sipas Aristotelit, lumturia është qëllimi kryesor i jetës së njeriut. E çka duhet të bëjë edukimi? Ta përkrah këtë qëllim, apo jo? Pra, rrjedhimisht qëllimi i edukimit është vet lumturia. Ashtu siç thashë në fillim. E kur mund të jetë një njeri i lumtur? Atëherë kur është i shëndosh fizikisht dhe i realizuar shpirtërisht, emocionalisht e intelektualisht. Atëherë kur arrin me e përmbush potencialin e tij, duke e dhanë ma të mirën prej talentit të vet, prej veçantisë së vet. Nëse dëshirojmë edukim më cilësor, duhet “t’i edukojmë në mënyrë të vazhdueshme vet edukatorët”  – thotë Tom Whitby. E unë do t’i shtoja: duhet në mënyrë të vazhdueshme ta edukojmë veten tonë së pari. Të gjithë ne, pavarësisht a jemi edukatorë, prindër apo studentë. Ky edukim duhet të filloj me aspektin emocional dhe shpirtëror të vetvetes së pari, deri në atë masë sa në mënyrë të natyrshme me u shkri dhe me u balansu me edhe me nivelin intelektual.

Si kish me funksionu një sistem edukimi i bazuar në këtë model? Së pari, procesi i mësimit kish me u zhvillu në atë mënyrë që nxënësi në mënyrë të natyrshme me gravitu drejt talentetve dhe veçantive të veta. Kjo duke u bazuar në edukimin të personalizuar. Kur ndodh një gjë e tillë, motivimi si proces vjen natyrshëm, sepse kur je duke mësu diçka që don, vet ke me u angazhu për me gjet mënyrën ma të mirë për me e përvetesu atë dijeni. Paramendoni një edukim të tillë për veten tuaj! A kish me qenë shumë ma ndryshe jeta juaj? A kishit me qenë shumë ma të lumtur? A kish me ju ndihmu kjo për me e pas një jetë shumë ma të kënaqshme se kjo që e keni sot?

Ajo që e shohim sot në botë është lakmia, konkurenca, hierarkia, xhelozia. Si mundet në një botë të tillë me u çmu ky lloj edukimi?

Bota në të cilën po jetojmë, mund të mos jetë e gatshme për brezat e dala nga një edukim i tillë. Por këto gjenerata janë ato që do të jenë në gjendje me e ndërtu një botë shumë ma të mirë se kjo ku po jetojmë sot.  Një botë ku lumturia nuk është vetëm një koncept teorik, por një realitet dhe mënyrë jetese për shumicën e njerëzimit.

—————————————————–

Ky artikull në origjinal është publikuar në Digital Pedagogy Lab në linkun në vijim:
http://www.digitalpedagogylab.com/hybridped/meeting-dimensions-education/

Ndërsa ky është versioni shqip i përkthyer nga vet autorja.


0 Comments

Leave a Reply

Avatar placeholder

Your email address will not be published. Required fields are marked *