Shkrimi është mënyrë e fuqishme e komunikimit jo vetëm me të tjerët, por me vetën së pari. Të shkruash do të thotë të jesh vetja. Nuk mundem me marrë me mend si mund të shkruash e të mos jesh i vërtetë! E kuptoj deri diku se si mund të mos e thuash komplet të vërtetën kur je në një situatë të caktuar sa je duke folur/ përballur me dikë drejtpërdrejt. Por, të ulesh e të shkruash është krejt ndryshe. Eshtë akti më i bukur dhe i sinqertë i komunikimit me vetën tonë.

Kur ulem dhe shkruaj, e ndjej se sa shumë fjalë, mendime e ide shfaqen pambarimisht dhe tentojnë me depërtu njëkohësisht. Në garë mes veti, vetëm disa arrijnë me u përçu deri në sinapsën e fundit të trurit, e cila i “përkthen” ato mendime në të shkruar. Ndërsa, vetëdija ime i pret derisa ato t’a arrijnë cakun e duhur dhe e kalojnë pragun për tu “shndërru” në shkrim.

Shkrimi është dialog i brendshëm me vetën. Bile edhe atëherë kur je duke shkruar për të tjerët. Si mund të mos jesh autentik, kur je duke biseduar me vetën? Është e pamundur.

Por jo vetëm kaq. Ky proces shkon edhe më thellë. Përmes kanalit të komunikimit me vetën, lidhesh paralelisht me hynoren, vetën tënde më të lartë, prej së cilës merr frymëzime të një-pas-njëshme. 

Është si një shi vere që bie pa u ndal dhe të zë befas në mes të rrugës. Ndjesinë më të mirë e merr atëherë kur dorëzohesh edhe e ndjen secilën pikë (shiu) që e godet trupin tënd. Me rritjen e ndjeshmërisë, fillon e i ndjen edhe pikat që bijnë përreth: në trotuarë, ndërtesë, mbi tokën, asfalt. Deri atëherë kur bëhesh NJË me shiun. E kjo ndjenjë vazhdon derisa përfundon shiu, deri në momentin kur je bërë qull dhe nuk e qan kokën se si dukesh nga jashtë apo si të shohin të tjerët që janë fshehur nëpër strehët brenda ndërtesave të tyre. 

I tillë është akti i të shprehurit me shkrim. I pastër, i sinqertë, i natyrshëm, i vrullshëm e pasionant.

Categories: blog

0 Comments

Leave a Reply

Avatar placeholder

Your email address will not be published. Required fields are marked *