Në Konferencën e AMICAL 2016 muajin e kaluar, jam inspiru prej prezentimit të Maha Bali dhe Jim Groom me titullin “Should Ed-Tech have an ethos? Teaching technologies in a post-Snowden age“.

7-AristotleKy titull automatikisht më asocioj me trekëndëshin e famshëm (të mënyrës së bindjes) të Aristotelit, njërit prej figurave ma të ndritura të historisë së njerëzimit, themeluesit të shkollës Lyceum në vitin 335 para erës sonë. Sipas Aristotelit, një jetë e mirë është ajo që i ofron njeriut të gjitha kushtet dhe mundësitë e nevojshme për ta realizuar plotësisht potencialin e tij – dhe tjetra kur njeriu ka karakter për ta bërë këtë.

Më kujtohet, sa isha studente në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike (në drejtimin Kompjuterikë dhe Telekomunikacion), kam qenë në gjendje me zgjedh pa problem algoritme dhe integrale të shumëfishta. Po në atë kohë, nuk kam qenë e vetëdijshme se si mundet me u gjet një bindje limituese që e ka shkaktu një problem emocional apo si me pregadit një ushqim të shëndetshëm. Pra, përkundër gjithë asaj pune dhe mësimi konstant që bëja, nuk kam qenë në gjendje me e njoft veten deri në atë pikë sipërfaqësore, sa me i kushtu randësi sadopak mirëqenies time.

Edukimi është proces i vazhdueshëm dhe si i tillë nuk mundet me u shiku vetëm brenda institucionit (shkollë, fakultet). Edukimi si proces duhet me u analizu në aspektin multidimensional. E gabimi ma i madh që bëhet sot në qarqet edukative, është ai kur koncepti i edukimit bazohet në ndarje, si: shkollimi fillor, i mesëm, shkollimi i lartë, profesional…. Sa më lartë hierarkisë së shkollimit formal, aq më “i vlefshëm” edhe i “dijshëm” konsiderohet ai njeri, dhe anasjelltas.

I takoj atyre njerëzve që nuk munden me e përkufizu veten përmes edukimit formal. Kjo për shkak se mësimet ma të vlefshme që i kam marrë në jetë janë jashtë bankave të shkollës apo sistemit formal të shkollimit. Edhe pse e rritur në një vend të izoluar prej botës siç është Kosova, kam pas fat që teknologjia dhe interneti me më përcjell gjatë jetës. Më kujtohet kur isha tu punu për një seminar në një landë të teknologjisë, dhe aq thellë isha zhyt në mësimet online të asaj teme sa që kur e dorëzova punimin, profesori në fillim u mahnit me pasionin tim, po në fund më dha pikë minimale pasiqë kisha dal “jashtë kornizës dhe skriptës së profesorit”.

7-2Jam për një shkollim që buron natyrshëm prej dashnisë. Shkollim që fillon nga njohja e vetes së pari. Që të bënë kurioz, të jep pasion e mbi të gjitha të jep jetë. Jam për atë shkollim përmbajtësor dhe qenësor, që na bënë të aftë me shiju një jetë të përmbushur dhe të balansuar. E sidomos, jam për një shkollim që na mëson se edukimi nuk kryhet me një diplomë e as pozitë të mirë pune. Jeta është shkolla ma e mirë dhe edukimi është vet jeta.

Njoh shumë njerëz që kanë arrit me sukses me i kry të gjitha nivelet e “larta” të edukimit formal, po ende nuk kanë as më të voglën vetëdije për veten e tyre, 7-3ndryshimin në nivelin personal e mos të flasim për urtësinë.

Edukimi i mendjes pa edukimin e zemrës nuk është fare edukim. ~ Aristoteli

Harmonizimi i shpirtit dhe mendjes na shpie te kompletimi i qenies. Ndërsa, urtësia vjen natyrshëm atëherë kur mendja bëhet aleat i shpirtit. E prej shpirtit rrjedh inspirimi, që është mençuria e vërtetë, e pavarur prej çdo forme apo mendimi.

Atëherë kur edukimi formal arrin me zgjeru brezin deri në atë masë sa me përfshi jo vetëm mendjen po edhe shpirtin, mund të themi se e kemi arrit një edukim të mirëfilltë. E përderisa shkollimi mbetet në dimensionin e mendjes dhe mendimit kritik, kemi ende shumë punë për të bërë.

Se sa e vështirë është me e arrit një gjë të tillë, nuk e di! Ajo çka e di sigurt është se kjo kërkon një vetëdije shumë më të lartë se sa është vetëdija kolektive aktuale e njerëzimit.

Photo Credits:
https://perpetualinnovationmachine.files.wordpress.com/2014/05/ethos-pathos-logos.jpg
http://www.quick-break.net/2051/quotes/educating_the_mind_without_educating_the_heart_-_aristotle
http://onlyconnectparke.blogspot.com/2015/06/the-wisdom-of-founding-father-education.html

 

2 Comments

sabit kabashi · June 17, 2016 at 11:58 am

Mësimi brenda skriptave (librave) të mësimdhënësit dhe kufizimeve tjera ideologjike nuk është as mësim, as edukatë. Gjatë punës me ditar në dorë kam vërejtur se vlerësohet më shumë ai që nuk ja prish profesorit, flet me shënime e marra nga ai, të cilat edhe ai i ka të përshkruara për dikujt pa treguar burimet. Këtë mënyrë të të mësuarit e kisha quajtur, mësim i kufizuar, që i mungon gjerësia e mendimit.

Nora · June 19, 2016 at 7:18 am

Sikur sot te filloja edukimin tim arsimor, do te ishte krejt ndryshe. 🙂 Megjithate, eshte nje mesim qe mos te gabojme me femijet tane. T’i lem te zhvillohen lirshem dhe t’i afrojme me natyren. Nje nga gabimet qe po behet ne kete shekull, eshte se po largohemi nga natyra. Mesimet e mesuesve te medhenj, duke perfshi edhe Aristotelin, jane mbajtur ne natyre. Mesimi ne natyre eshte si meditimi, e kthjellteson dhe e pastron mendjen e shpirtin.

Leave a Reply

Avatar placeholder

Your email address will not be published. Required fields are marked *