Koha e leximit: 3 min

Covid19 do të hyjë në historinë e njerëzimit jo vetëm në shëndetësi e histori.

Covid19 i ka zbulu të gjitha dobësitë e sisitemeve njerëzore. Duke fillu prej sistemit shëndetësor, ekonomik, politik, medial… e deri te sistemi i edukimit dhe zbulimi i errësirës së nivelit 3D të vetëdijes njerëzore.

Prej një jetese, ku të gjitha këto çarje e dobësi mbuloheshin disi me ritmin e shpejtë të të jetuarit “busy” dhe komoditetin e kësaj forme të jetesës, Covid19 arriti me i zhvesh përnjëherë të gjitha këto “të mira”. Nga kjo situatë e krijuar, natyrisht se ato që mbetën ishin pikërisht dobësitë dhe të metat që ishin shtresëzuar me dekada e shekuj.

Për herë të parë në sytë e njeriut të zakonshëm, është pa pafuqia e njerëzve të “fuqishëm” të planetit Tokë. Për një pjesë të madhe të njerëzimit (për ata që nuk e kanë përjetu luftën, si ne shqiptarët e Kosovës), erdhi momenti me e pa se sa në të vërtetë ka rëndësi pasuria materiale, e problemet me të cilat preokupohej mendja jonë në baza ditore.

Ky virus është zgjim i ndërgjegjes kolektive. Pika kthesë ku secili prej nesh në mënyrë të vetëdijshme zgjedh të krijojë e manifestojë më të mirën për veten e vet, pa besuar verbërisht në sistemet 3D të cilat nuk mund të na shërbejnë më në këto frekuenca të vibrimit.

E në nivelin personal, Covid19 i ka zbulu plagët e pashërueshme të nivelit emocional e shpirtëror që i kemi mbajtur në vete gjithë jetën. Nuk besoj që ka njeri në botë që nuk është prek sadopak nga kjo situatë së paku në këto aspekte (pa i llogarit këtu njerëzit që janë prekur direkt nga ky virus dhe viktimave që kanë humbur jetën).

E për këtë duhet të jemi falenderues. Lum ata që këtë periudhë të ashtuquajtur të “pandemisë” e kanë kalu duke i shëru këto trauma e janë rikthy shumë më të fuqishëm. Fundi i fundit, ky është edhe misioni i yni në jetë… Shërimi, integrimi, ndiçimi i pavetëdijes dhe kthimi në “lojën reale” të quajtur jetë, për t’u ngritur sa më lartë drejt NJËSIMIT me Universin.

Sa ma shumë që i shërojmë traumat tona, aq ma të aftë bëhemi me kriju rrugë të reja që na shpiejnë në krijimin e mënyrave të reja të jetesës në dimensionet e reja. E këto rrugë janë shumë më të lehta se ato rigjide që jemi mësu me i pas në nivelin 3D, janë mënyra të fokusuara në zgjidhje e jo në probleme, janë rrugë të integrimit të secilit aspekt të vetes sonë, rrugë të bashkimit e jo ndarjes. E mbi të gjitha, janë mënyrë e re e jetesës së bazuar në dashni, e jo frikë. E pikërisht Covid19 na e ka rikujtu se frika është gjendja më e keqe e mundshme për të jetuar e vepruar.

E ardhmja e jonë varet nga vendimet që i marrim sot. Zgjimi individual është vendimi më i mirë që mund të marrim. E ai kolektiv vjen natyrshëm si pasojë e vendimit tonë individual për t’u ZGJUAR përfundimisht TANI.


0 Comments

Leave a Reply

Avatar placeholder

Your email address will not be published. Required fields are marked *